You are here

Kisha "Rruga e Paqes", Pejë

Ne jemi kishë ungjillore. Mblidhemi së bashku për miqësi me njëri-tjetrin dhe për të adhuruar Zotin Jezus, në takimet e rregullta javore. Jemi kishë për të gjitha moshat dhe mundohemi ta shpallim ungjillin, si nevojë për të gjithë njerëzit që kërkojnë shpëtimin dhe faljen e mëkateve. Bibla është autoriteti ynë përfundimtar dhe i pagabueshëm.

 

Çfarë besojmë ne në Kishën “Rruga e Paqes”:

 Zoti

Është vetëm një Zot, i cili ekziston në tre persona të veçantë por të barabartë: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Zoti është i pandryshueshëm në shenjtërinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë e Tij. Ai është Krijuesi i gjithëpushtetshëm; Shpëtimtar dhe Gjykatës, i cili mban dhe drejton çdo gjë sipas vullnetit të Tij sovran për lavdinë e Tij.

Bibla

Zoti e ka shpallur veten e Tij në Bibël, e cila përbëhet nga Dhjata e vjetër dhe Dhjata e Re. Çdo fjalë e Biblës është e frymëzuar nga Zoti dhe është thënë përmes autorëve njerëzor. Bibla, ashtu siç është dhënë nga Zoti është Fjala e Perëndisë. Ajo është e pagabim, është doktrinë e vërtetë dhe fakt plotësisht i besueshëm. Bibla flet me autoritet të plotë dhe është plotësisht e mjaftueshme për besim dhe jetë.

Raca njerëzore

Të gjithë njerëzit (meshkuj dhe femra), të krijuar sipas gjasimit të Perëndisë, kanë vlerë dhe dinjitet të barabartë. Qëllimi kryesor i njeriut është t'i bindet, ta adhurojë dhe ta dojë Perëndinë. Si rezultat i Rënies në mëkat të paraardhësve tanë, çdo lëmi e natyrës së njeriut është prishur dhe të gjithë burrat dhe gratë janë pa jetë frymore, mëkatarë fajtorë dhe armiq të Perëndisë. Prandaj, çdo njeri është nën gjykimin e mallkimin e merituar të Perëndisë. Njeriu duhet të Rilindet, të falet dhe të pajtohet me Perëndinë, në mënyrë që ta njohë më mirë Perëndinë dhe ta kënaq Atë.

Zoti Jezu Krisht

Zoti Jezu Krisht është plotësisht Zot dhe plotësisht njeri. Ai është ngjizur nga Fryma e shenjtë, ka lindur nga virgjëresha, ka jetuar jetë pa asnjë mëkat dhe në bindje të plotë ndaj Atit. Ai ka dhënë mësim me autoritet dhe të gjitha fjalët e Tij janë të vërteta. Ai ka vdekur në Kryq në vend të mëkatarëve, duke mbajtur dënimin e Perëndisë për mëkatin e tyre, dhe i ka shfajësuar ata me gjakun e Tij. Ai u ngrit nga të vdekurit dhe me trupin e Tij të rilindur u ngjit në Qiell ku është i lartësuar si Zot i gjithçkaje. Ai ndërmjetëson për popullin e Tij para Atit.

Shpëtimi

Shpëtimi është tërësisht vepër e hirit të Perëndisë dhe nuk mund të fitohet apo të meritohet me asgjë. Shpëtimi është fituar përmes Zotit Jezu Krisht dhe u ofrohet të gjithëve në Lajmin e mirë. Zoti, me dashurinë e Tij, i fal mëkatarët që i thërret Ai, duke u mundësuar pendesë dhe besim. Të gjithë ata që besojnë në Krishtin shfajësohen vetëm me besim, birësohen në familjen e Perëndisë dhe pranojnë jetën e përjetshme.

Fryma e shenjtë

Fryma e shenjtë është dërguar nga qielli për ta lavdëruar Krishtin dhe për ta vënë në jetë veprën e Tij shpëtuese. Fryma i bind mëkatarët, u jep jetën frymore dhe u ndihmon ta kuptojnë Shkrimin e shenjtë. Fryma banon në të gjithë besimtarët, u jep sigurinë e shpëtimit dhe prodhon tek ata ngjashmëri me Krishtin. Fryma ndërton Kishën dhe u jep fuqi anëtarëve për adhurim, shërbim dhe mision.

Kisha (Bashkësia)

Kisha mbarëbotërore (univerzale) është trupi i Krishtit dhe Ai është koka e saj. Kishës i takojnë të gjithë ata që janë shpëtuar. Kjo Kishë është e dukshme përmes kishave lokale, që janë bashkësi besimtarësh, të cilët janë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit në adhurimin e Perëndisë, në predikimin e Fjalës, në bërjen e Pagëzimit dhe Darkës së Zotit. Aty besimtarët marrin kujdes pastoral (baritor) dhe disiplinohen. Besimtarët e kishës bëjnë ungjillëzim së bashku. Uniteti i trupit të Krishtit shprehet në kishë dhe në mes kishash me dashuri, kujdes dhe inkurajim të njëri-tjetrit.

Pagëzimi dhe Darka e Zotit

Pagëzimi dhe Darka e Zotit i janë dhënë kishës nga Jezusi si shenja të dukshme të ungjillit. Pagëzimi është një simbol i bashkimit me Krishtin dhe një shenjë e hyrjes në Kishën e Tij, por ai nuk e jep jetën frymore. Darka e Zotit është përkujtim i flijimit të Krishtit që është ofruar një herë e përgjithmonë. Bekimet e bukës dhe verës pranohen me besim.

E ardhmja

Zoti Jezu Krisht do të kthehet në Lavdinë e Tij. Ai do t'i zgjojë të vdekurit dhe do ta gjykojë botën me drejtësi. Të pabesët do të dërgohen në ndëshkimin e përjetshëm, kurse të drejtët (besimtarët) do të mirëpriten në jetën e përjetshme me plot kënaqësi dhe miqësi me Zotin. Zoti do t'i bëjë të gjitha gjërat të reja dhe Ai do të përlëvdohet përgjithmonë.